Gjimnazistët po i “mbyt” stresi i shkollës

by

Neritan Gjergo

Erina Maçi, psikologe e shkollës “Arben Broci” në Tiranë tregon për “Shekullin” gjithë problemet emocionale, psikologjike dhe ankthet e nxënësve të gjimnazeve. Duke lexuar shkrimet në gazeta, ku shpesh adoleshentët qëllojnë me thika njëri-tjetrin të duket se këta janë adoleshentët shqiptarë, agresivë dhe kriminelë.

A ndihen të pasigurt nxënësit në shkollë? Kjo lidhet me marrëdhënien mes tyre, me raportin mësues-nxënës, apo në lojë hyn edhe pasiguria e jashtme (njerëz të huaj në shkollë, kërcënime, presione)?

Çdo shkollë ka një rregullore të brendshme, ku ndër të tjera është përcaktuar edhe mënyra se si hyjnë personat brenda në institucion. Këtu përfshihen oraret e fillimit të dhe mbarimit të mësimit, momentet kur prindërit takojnë mësuesen kujdestare apo titullarët e shkollës. Në këtë rregullore përcaktohet qartë mënyra se si persona të huaj mund të hyjnë brenda institucionit.

Dinamikat brenda në klasë apo shkollë janë shumë të gjera dhe unë nuk mund të përgjithësoj faktin se, në rast se në një klasë dy nxënës grinden, të gjithë nxënësit e shkollës mund të ndihen të pasigurt.

Gjimnazet e Tiranës janë në monitorimin e kamerave dhe unë nuk e di si funksionon ky sistem në shkollat e qyteteve të tjera. Pasiguria duhet konceptuar në aspektin psikologjik dhe jo në aspektin fizik.

Ajo ka të bëjë me arritjet personale të gjithsecilit. Nxënësit, gjithmonë pyesin veten se sa dhe si do të mundin të përshtaten ata me klasën dhe a do të mund të krijojnë marrëdhënie të mira. Ky është aspekti i parë. E dyta lidhet me punën që do të kryejë nxënësi për të marrë rezultatet e duhura dhe ka një konflikt individual në psikologjinë e tij.

Ne nuk mund të themi që ka një pasiguri fizike, për të cilën nxënësit i cenohet jeta. Nëse flitet për këtë lloj pasigurie, unë nuk jam dakord me përgjithësimin e shifrave. Pasiguria është një element i brendshëm i individit. Këtu behët fjalë për stresin dhe ankthin që shoqëron gjimnazistët, të cilët do të përballen me ngarkesën e maturës shtetërore.

Pse nxënësit konsumojnë alkool, duhan e marihuanë?

Mjediset jashtë shkollës janë lehtësisht të arritshme. Pranë territorit të shkollës ka lokale dhe dyqane ku tregtohet alkooli, duhani, etj. Në përgjithësi, duke qenë se janë adoleshentë, tipar i kësaj moshe është ndikimi nga grupi shoqëror.

Pranimi ose përjashtimi nga grupi është një arsye e fortë, që i bën ata të nisin duhanin dhe alkoolin, ndërsa përdorimi i marihuanës mund të lexohet si faktor individual.

Cili është motivi i nisjes së përdorimit të këtyre substancave dhe ç’shtresë përfaqësojnë?

Nëse me shtresë nënkuptoni nivelin social- ekonomik të familjes, nivelin arsimor të prindërve ose nivelin personal të arritjeve të nxënësve, nuk mund të bëj përjashtime sikundër nuk mund të bëj edhe përgjithësime sepse familja me dinamikat e saj është unike. Një ndër arsyet e përgjithshme mbetet prindërimi i dobët.

Prindërit mendojnë të mirat materiale dhe kushtet fizike për fëmijët, por harrojnë se ata kanë nevojë për një komunikim të mirë dhe vëmendje.

Marrëdhënia prindfëmijë është shumë e rëndësishme dhe kur fëmijët arrijnë moshën e gjimnazit ata befasohen me ndryshimet që pësojnë. Kjo lidhet edhe me mentalitetin dhe dhunën që ushtrohet në familje. Një babá i dhunshëm dhe autoritar rrit një fëmijë të dhunshëm.

Këto ditë është publikuar në mediet virtuale, një sondazh i kryer nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit. Si i shihni rezultatet e këtij sondazhi?

Me kaq informacion sa kemi, në rast se do t’i përmendim thjesht si shifra, ato janë shqetësuese. Nga këndvështrimi im problemi qëndron në faktin se sa përfaqësuese janë këto shifra. Këtu flitet për një pyetësor, për të cilin unë nuk kam të dhëna për mënyrën se ku është marrë informacioni. Duhen evidentuar shkollat. Duhet parë nëse ky sondazh është plotësuar vetëm në gjimnazet e Tiranës, apo edhe në shkollat e mesme jashtë saj.

22 për qind e gjimnazistëve ndihen të pasigurt në shkollë

Në të gjitha shkollat e vendit, duket se pasiguria për nxënësit po bëhet një nga faktorët kryesorë, me të cilin ata përballen. Vlerësimi për sigurinë, i realizuar me anë të një sondazhi me nxënës të përzgjedhur në mënyrë rastësore tregon se më shumë se 20 për qind e tyre ndihen të pasigurt në ambientet e brendshme të shkollës, në klasa dhe në oborr.

Ajo që vihet re si dukuri negative është lënia e orëve mësimore. Në një nivel që është pranë 50 për qindëshit nxënësit duket se e shpërfillin në mënyrë masive shkollën, në këmbim të konsumimit të pijeve alkoolike dhe duhanit, edhe ky një fenomen që po merr përmasa tronditëse.

Gjimnazistët përballen me shumë probleme gjatë kohës që ndodhen brenda oborrit të shkollës. Jo vetëm alkool, duhan e marihuanë, por ata ndihen edhe të pasigurt në shkolla. Inspektorati Shtetëror i Arsimit pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ka publikuar një raport që na jep një situatë dramatike për mjedisin që duhet të përballojnë të rinjtë brenda oborrit të gjimnazit.

Sipas këtij raporti, ekipet e inspektimit realizuan vlerësimin mbi cilësinë e ofruar në drejtim të sigurisë, shëndetit, mbarëvajtjes dhe mjedisit fizik e psiko-social të të nxënit në 35 gjimnaze të vendit. Gjimnazet janë përzgjedhur në mënyrë rastësore me një kampion prej 10 për qind të numrit total të gjimnazeve në rang vendi.

“Nga zhvillimi i 1435 pyetësorëve me nxënës të klasave të XI-ta dhe XII-ta, rezulton se: 22 për qind e nxënësve, (312 nxënës) nuk ndihen të sigurt në mjediset e shkollave; 42 për qind e nxënësve, (600 nxënës) nuk ndihen të sigurt në mjediset e tualeteve të shkollës; 28 për qind e nxënësve, (401 nxënës) grinden mes tyre në shkollë dhe rreth saj;

22 për qind e nxënësve (322 nxënës) konsumojnë pije alkoolike; 38 për qind e nxënësve, (559 nxënës) pinë duhan në mjediset e shkollës dhe jashtë saj; 14 për qind e nxënësve, (203 nxënës) përdorin lëndë narkotike të tipit marihuanë; 42 për qind e nxënësve, (744 nxënës) lënë orët e mësimit”, – thuhet në raportin e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit.

Mësuesit kërkojnë ndihmë te psikologu për marrëdhëniet me nxënësit

Prej disa vitesh në shkollë pozicioni i psikologut është i qëndrueshëm dhe janë krijuar hallka bashkëpunimi mes mësuesit kujdestar, mësuesit të lëndës dhe psikologut. Për nxënësit, të cilët janë impulsivë, të lëvizshëm e problematikë, mësuesi komunikon me psikologun dhe kërkon që të hyhet në një diskutim mes të treve për të zgjidhur problemet.

Erina Maçi shprehet se në institucionin e shkollës mund të hasen probleme me përshtatjen dhe mund të krijohen grindje për shkak të fjalëve që nxënësit hedhin te njëri-tjetri apo mësuesi. “Takti i komunikimit është shumë i rëndësishëm. Jo të gjithë mësuesit kanë një mënyrë shprehjeje dhe komunikimi të mirë me nxënësit. Mënyra se si i drejtohet mësuesi një nxënësi, jo gjithmonë e gjen nxënësin në kushte të favorshme.

Mësuesi duhet të jetë pak psikolog në marrëdhënie me fëmijët. Në gjimnazin “Arben Broci” ka një frymë të mirë bashkëpunimi. Në të njëjtën kohë punohet paralelisht me mësuesit, psikologun dhe nxënësin. Ne kemi hartuar një kontratë marrëveshjeje, të cilën unë e konsideroj si kontratë besimi. Kjo kontratë është një rregullore e vogël dhe e zbutur, sipas të cilës duke vendosur pika të paracaktuara, të gjithë mund të marrin një shpërblim të vogël. Kjo ndodh kur punohet me klasën, në përgjithësi”, thotë Maçi.

Për psikologen, vetëm një klimë e mirë bashkëpunimi dhe komunikimi mund të minimizojë marrëdhëniet problematike që hasin gjimnazistët mes tyre dhe mësuesve. E pyetur për efektivitetin që ka ndërhyrja e psikologut te fëmijët, Maçi thotë se bashkëpunimi ka sjellë arritje.

“Kur punohet me nxënësin, kalohet në këshillim individual dhe në momentin që ka nevojë për ndërhyrje nga mësuesi kujdestar, titullari i shkollës apo ndonjë aktor tjetër, njoftohet nxënësi dhe ndihmohet në forma të ndryshme. Ai është në dijeni për këtë kontakt”, shprehet ajo. Ndërsa, për shpeshtësinë e kontakteve të psikologut me mësuesit, Maçi thotë se nuk ka një nivel matës por ato mbeten të shpeshta, sepse nuk flitet vetëm për problematika.

“Ata kontaktojnë për ecurinë apo për ndonjë bashkëpunim të mirë. Për shembull, një tematikë e mirë është bashkëpunimi në edukimin për karrierën. Komunikimi me mësuesit e biologjisë për sëmundjet seksualisht të transmetueshme, për mënyrën se si gërshetohet aspekti profesional me aspektin psikologjik. Për t’u kthyer te pjesa e ofendimeve, adoleshentet në përgjithësi janë gjaknxehtë dhe impulsivë.

Fillimi i vitit shkollor mbetet gjithmonë një moment i vështirë, pasi nxënësit duan kohën e nevojshme për t’u përshtatur. Kjo është një fazë kur duhen gjetur mënyrat për të njohur personalitetin e nxënësit, apo për të gjetur gjuhën e përbashkët. Nevojitet toleranca dhe bashkëpunimi në mënyrë që gjërat të qetësohen. Përballja me një shoqëri të re krijon gjithmonë përplasje.

“Konfliktet i shkaktojnë nxënësit problematikë”

Për sondazhin e kryer nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, nxënësja e klasës së XI-të në gjimnazin “Qemal Stafa”, Gladiola Shehu përgjigjet se brenda ambientit të shkollës, ajo ndihet e sigurt në pjesën më të madhe të kohës. Ajo tregon se në çdo klasë ka nxënës problematikë, por ndaj tyre çdokush është indiferent dhe kjo nuk e pengon atë të ndihet e qetë me veten dhe shoqërinë e saj.

Janë këta nxënës problematikë, të cilët braktisin orët e mësimit dhe konsumojnë alkool apo duhan. Gladiola thotë se pasigurinë më të madhe e ndjen për shkak të ankthit që i krijohet për rezultatet në mësime dhe të ardhmes së saj pas përfundimit të maturës. E pyetur se sa të shpeshta janë rastet e konflikteve dhe llojin e tyre, gjimnazistja thotë se konfliktet mund të vijnë nga zhurmat në klasë, gjatë orës mësimore ose përdorimi i telefonit.

“Janë faktorë që ndikojnë në humbjen e vëmendjes por shuhen shumë shpejt. Shpesh ka përplasje edhe kur nxënësit nuk bien dakord me notën e vendosur nga mësuesi dhe kur ngarkohen së tepërmi me detyrat që u caktohen në shtëpi apo klasë.” Mësuesi mund të ndodhet në situata jo të këndshme përballë nxënësve, sidomos atyre problematikë, por gjithmonë duhet të dijë se është në rolin e edukatorit. Gladiola thekson se mësuesi duhet të shmangë nxehjet e momentit dhe të punojë më shumë me nxënësit problematikë.

“Dhuna ndaj mësuesve vihet re kryesisht në gjimnaze. Unë kam vënë re se janë nxënës që vijnë nga familje me probleme apo të tjerë që rrinë me shoqëri të keqe dhe nuk janë korrektë as në aspekte të tjera të jetës. Duke ndjerë inatin e mësuesve ata ndihen të dobët dhe të kërcënuar për notën që mund të marrin në fund të semestrit”.

“Ta kontrolloj, apo të komunikoj me fëmijën”

“Djali im është gjimnazist. E kam bërë si rregull që dy herë në javë bëjë një shëtitje me të. Tani ai mbush 17 vjeç dhe kam përshtypjen se nuk do të pranojë të dalë me mua. Unë po e mbaj me forcë këtë ritual, pasi gjatë kësaj shëtitje unë mund të bisedoj me të qetësisht.

Ai është në shkollë private dhe atje ka nxënës që përdorin alkool apo droga të tjera. E vetmja mënyrë që unë ta mbaj larg kësaj shoqërie është komunikimi i vazhdueshëm me të”, shprehet Martin Faslliu, prind. Shumë prindër e shohin internetin si një kërcënim serioz për edukimin e fëmijëve të tyre.

“Unë jam në punë pasdite dhe vajza ime adoleshente për disa orë rresht është vetëm në shtëpi dhe unë ja heq internetin përgjatë këtyre orëve, pasi në të kundërt ajo nuk mëson dhe nuk di se çfarë materialesh lexon në kompjuter”, shprehet Majlinda Kasmi, prind.

Një tjetër prind shikon problematike daljet e fëmijës me shoqërinë, apo udhëtimet jashtë Tirane. “Babi, a mund të shkoj në Sarandë me shoqet për fundjavë? Të gjitha do shkojnë. Të premtoj që do tregohem e përgjegjshme.

Mua më kërkon leje, ndërsa mamit i kërkon lekë dhe unë shpesh dëgjoj: Mami më duhen 20 mijë lekë për të blerë rroba të reja, nuk kam asgjë të bukur për të veshur. Dhe ne herë ja plotësojmë, herë jo, herë bëjmë debate dhe shpesh vajza mbyllet në heshtjen e saj, por ne nuk lëkundemi nga vendimi jonë. Më pas përpiqemi të thyejmë akullin.

Por, kjo është një “lojë” e vështirë. Nuk e di sa efikase është, por ne ndjekim me fëmijët taktikën “të lëshojmë pé, po nga pak”, tregon Agron Malaj, prind.
Burimi shekulli.com


Share Button

Comments

comments