2 ndryshime në Matura Shtetërore 2014

by

Nxënësit e vitit të tretë të shkollës së mesme, tashmë do të nisin të përgatiten për provimet e Maturës Shtetërore dhe Ministria e Arsimit ka parashikuar dy ndryshime kryesore të rregullave të saj.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, përmes një udhëzimi, të firmosur dje nga ministria e Arsimit, Lindita Nikolla bëri me dije se gjuha e huaj do të jetë pjesë e provimeve të detyruara të maturës shtetërore për vitin 2014. Në udhëzim bëhet gjithashtu me dije se maturanti do të zgjedhë vetë, se cilën gjuhë të huaj do të japë provim. MAS udhëzon që testi i gjuhës së huaj të hartohet në përputhje me gjuhën që parapëlqen secili maturant, kandidat për në universitet. Gjuhët e huaja që do të jepen si provim i detyruar janë anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Maturanti mund të japë cilën gjuhë të dojë provim, pavarësisht nëse e ka zhvilluar apo jo në shkollë. Prej disa vitesh gjuha e huaj ishte vendosur si provim me zgjedhje, me pikë më të larta se lëndët e tjera. Sikundër ishte paralajmëruar, këtë vit gjuha e huaj u vendos provim i detyruar. Sipas këtij udhëzimi, testi i gjuhës së huaj do të hartohet në nivelin gjuhësor B2.
Vlerësimi i gjuhës së huaj (D3), si provim i detyruar, do të pasqyrohet në Certifikatën e Maturës, por nuk do të ndikojë tek pikët, sipas formulës së paraqitur në këtë udhëzim. Vlerësimi i këtij provimi do të bëhet sipas një tjetër udhëzimi që do të nxjerrë Ministria e Arsimit, e cila do të dalë më vonë. Preferencat e maturantit për këtë provim do të pasqyrohen në formularin A1/A1Z. Sipas udhëzimit bëhet me dije se testi i gjuhës do të hartohet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve dhe do të administrohet nga DAR-et përkatëse. Lëndët e tjera për të cilat do të zhvillohen provimet e detyruara do të jenë dhe gjuhë-letërsia dhe matematika. Maturanti do të zgjedhë dy lëndë me zgjedhje për të cilat do të testohet. Ministria e Arsimit ka publikuar një listë me 25 lëndë, mes të cilave maturantët mund të zgjedhin. Për këto lëndë maturantët do të përgatiten sipas programeve orientuese, që do të përfshijnë lëndën bërthamë dhe të thelluar. Kështu, ndryshe nga vitet e tjera lënda e gjeografisë do të përmbajë dhe lëndën e “Shkencave të Tokës”. Maturanti ka të drejtë të zgjedhë një apo më shumë lëndë, të cilat mund të mos i jenë ofruar nga shkolla. Shuma e krediteve të këtyre lëndëve duhet të jetë jo më e vogël se 8.
Gjithashtu, Mash udhëzon se maturantët, të cilët kanë dhënë provime me zgjedhje dhe janë vlerësuar me notë jo më të vogël se 4.50, u njihen ato. Ndërkohë kandidatët, të cilët nuk janë kalues, ose nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje, do t’i japin ato në përputhje me këtë udhëzim. Për sa u përket kandidatëve, të cilët kanë marrë dëftesë pjekurie para vitit 2006 dhe dëshirojnë të aplikojnë për studime universitare do t’u njihen vetëm dy provime të detyruara, pavarësisht nga emërtimi i lëndëve. Kush ka mbetur në provimet e detyruara vitin e kaluar, kur me detyrim kanë qenë vetëm dy lëndë, do të japë provim vetëm lëndën në të cilën ka mbetur si dhe gjuhën e huaj. Pritet të ndryshojë dhe formula e llogaritjes së pikëve, pasi përveç provimeve të detyrueshme D1, D2 është shtuar dhe ai D3, ndërsa provimet me zgjedhje do të jenë të shënuara po njësoj, Z1, Z2. Gjithashtu dhe koeficientet, si të shkollës dhe të lëndëve me zgjedhje nuk kanë ndryshuar, do të jenë njësoj si vitet e kaluara.
Burimi: Shekulli


Share Button

Comments

comments